Aktuale

Qeveria duhet t’i garantojë qytetarët për paratë e Trustit

Qeveria ka sponzoriauar një projektligj të ri që po kërkon t’i shfrytëzojë mjetet e Trustit Pensional të Kosovës.

Në parim me 47 vota pro,7 kundër dhe 6 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Ky projektligj parasheh që Qeveria e Kosovës ta ketë të drejtën e shfrytëzimin të të hollave.

Por, njohësi i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi vlerëson se paret e Trustit mund të shfrytëzohen, por Qeveria e Kosovës është ajo që duhet ta mbaj përgjegjësinë para qytetarëve për humbjet e mundshme.

Rexhepi thotë se mjetet nuk duhet të investohen vetëm në një vend, sepse rreziku është më i madh për të pasur humbje.

“Ato pare janë duke u shfrytëzuar edhe tash dhe askush nuk na ka pyetur ku t’i qojmë apo çka të bëjmë. Ligji e rregullon qartë. A janë në Kosovë a në Amerikë, ajo çështje duhet të jetë në kuadër të parimeve ligjore. Nëse rregullohet në parlament, qeveria ka të drejt t’i shfrytëzojë, por do të ishte gabim në qoftëse kushdo qoftë qeveria apo Trusti mendon t’i investojë mjetet në një vend. Rreziku do të ishte më i vogël nëse shpërndahen. Sa më shumë të shpërndara, sepse nëse dështon diku, diku tjetër fiton. Dhe duhet të jepet garancion që ato pare nuk i humbin qytetarët. Paret nuk guxojnë t’i humbin dhe përgjegjësin e merr qeveria”, ka thënë Rexhepi për Indeksonline.

Ndërsa deputetët e VV kërkuan që të tërhiqet drafti aktual dhe të përmirësohet.

Shqipe Pantina nga VV ka thënë në seancën e  Kuvendit se ky projektligj nuk i plotëson nevojat për ta rregulluar këtë fushë. Ajo është shprehur se është e papranueshme qasja e qeverisë dhe mënyra e amandamentitmit të këtij ligji, sepse po bëhet pa ndonjë analizë paraprake, ku qeverisë i duhet për interesa të veta dhe jo të qytetarëve.

“Ndryshimet e propozuara nuk krijojnë më shumë siguri. Qeveri po synon të marrë më shumë para nga trusti, pa e bërë të qartë se ku do t’i investoj këto para”.

Në vitin 2014 gjatë fushatës zgjedhore PDK-ja kishte llogaritur edhe në mjetet e Trustit, por kryesuesi i bordit të Trustit, Ymer Havolli kishte thënë se mjetet mund të shfrytëzohen vetën në atë që parasheh ligji.

“Kursimet pensionale janë të individëve, ato janë kursime për moshën e tretë. Qëllimi i vetëm i fondit pensional është rritja e vlerës së shumës së kursyer në mënyrë që kjo shumë me rastin e pensionimit të jetë sa më e madhe. Prandaj Fondi i Kursimeve Pensionale ka strategjinë e investimeve në tregje të tregtueshme që ofrojnë mundësi për  përfitime më të mëdha. Po ashtu është mirë që të mos llogaritet në mjetet e Trustit, përveç asaj që parasheh ligji”, kishte thënë Havolli më 2014.