Aktuale

Qeveria dënon ashpër sulmin ndaj Ministrit Hyseni: VV po e dëmton progresin e Kosovës

Pas gjuajtjes me ngjyrë të veturës zyrtare të ministrit Hyseni, Qeveria ka reguar duke e dënuar ashpër këtë akt të kryer nga Lëvizja Vetëvendosje.

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin e kryer sot nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, thuhet në reagimin nga Qeveria.

“Ky akt kriminal, i kryer nga aktivistë të Vetëvendosjes, është sulm kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj .Lëvizja Vetëvendosje me këtë veprim dëshmoi edhe njëherë se është në gjendje të rrezikoj jetën e qytetarëve të vendit dhe të përfaqësuesve legjitim të institucioneve, me qëllim të realizimit të skenarëve të saj kundër shtetit të Kosovës” thuhet në regimin e Qeverisë.

Sipas tyre, VV po angazhohet të dëmtojë progresin e Kosovës në proceset euroatlantike dhe të pamundësoj liberalizmin e vizave. “Siç ka ndodhur edhe në muajt e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje po angazhohet që të dëmtojë progresin e Kosovës në proceset eurointegruese, përkatësisht po bën përpjekje që të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, siç ka bërë edhe në të kaluarën kur me veprimet e saj ka pasur ndikim në mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ka dëmtuar ndjeshëm imazhin e shtetit”, thuhet në reagim, transmeton Express.

Qeveria ka ftuar organet kompetente që të marrin masat për zbardhjen e kryesve të këtij akti dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e këtyre veprimeve.

Ndryshe VV përmes një komunikate të lëshuar sot ka thënë se këtë aksion e kanë ndërruar pas ndalimit të hyrjes në Kosovë për Dejona Mihalin, e më herët deportimet e aktivistëve Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Bashkim Rodoni.

VV ka kërkuar që të ministri i brendshëm Skënder Hyseni t’i ndalë menjëherë deportimet nga Kosova. Përndryshe VV paraljmëron se nuk do të ndalet me aksione të tilla.