Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar sot tri marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë , si dhe ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.
Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me Qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se “Çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është ratifikimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, marrëveshje kjo e cila i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës marrje të huas nga Qeveria Austriake në vlerë deri në 30 milionë euro për investime në projekte të ndryshme kapitale”.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Avdullah Hoti është një Kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve tona për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.
Sipas tij, Marrëveshja me Qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë Euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vite./KosovaPress/