Aktuale

Qerkini: Nuk mund t’i pranojmë lojërat e Serbisë

Familjarët e personave të zhdukur janë të pakënaqur me punën e bërë deri më tani pasi numri i të pagjeturve vazhdon të jetë i madh.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se deri tani janë gjetur vetëm 9 mbetje mortore dhe se shumë lokacione janë mbyllur pa rezultate.

“Nesër është një aktivitet me një konfirmim identiteti, por edhe me një përmirësim të një gabimi të mundshëm gjatë periudhës së më parme. Aktivitetet nuk do të ndërpriten megjithëse është koha pak më pak e përshtatshme po aktivitet nuk ndërpriten. Hulumtime, vizita do të vazhdojnë të kemi”, tha Gjetaj.

Ai po ashtu ka thënë se në këtë periudhë 6 mujore nuk janë të kënaqur me punën që është bërë për zbardhjen e të pagjeturve.

“Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me atë çfarë që është punuar deri më tash, sepse me vetë faktin që i kemi 1 mijë e 658 persona të evidentuar si të zhdukur nuk mund të krenohemi dhe të themi i kemi gjet 9 mbetje mortore në disa aktivitete që janë zhvilluar nuk ka pasur gjetje. Disa prej tyre ka të bëjë me ri-konfirmimin ose konfirmimin e identitetit. Mbetet si detyrë, prioritet të vazhdohet dhe të gjinden rrugët dhe mekanizmat, të cilët mund të ndihmojnë edhe përshpejtojnë procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”, tha Gjetaj.

Sipas tij, në këtë gjashtë mujor janë gjetur mbetje mortore në varrezat e Prizrenit, Tusus 5, në Lushkobarë të Ferizajt 1 dhe dy në Krushë të Vogël. Për këto gjetje ende nuk ka rezultate të ADN-së. Ai ka treguar po ashtu se në këtë periudhë ka pasur aktivitete takime me grupin punues.

Ai ka potencuar konferencën e komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Gjenevë, ku kanë qenë përfaqësuesit e dy palëve serb dhe shqiptar.

Bajram Qerkini, kryetar i Komisionit qeveritar të familjarëve të pagjetur ka thëne se Serbia po luan me neve dhe se çështja e të pagjeturve nuk po merret seriozisht prej institucioneve tona.

“Çka është dashur për t’u punuar edhe çka ka mbet me u punua kemi na familjarët çka me fol. Unë edhe tash po e themi që lojën e serbëve shqiptarët nuk po munden me e ndal. Asnjëherë asnjë lokacion as Rudnicë, as një lokacion duke filluar prej Batajnicës nuk e kanë kryer deri në fund dhe nuk janë serioz. Çka tonët duke filluar prej kryetarit e prej vetit nuk janë sa duhet serioz këmbëngulës. Nuk mundemi me fol dhe me i pranuar lojërat e Serbisë. Duhet të ndërpriten, krejt institucionet e Kosovës, të gjithë me thënë zotëri po luani. Dhe nuk jemi ata njerëz në këtë shekull që duhet luajtur me neve. Familjarët kryesisht kanë shkuar 50 -60 % janë ende duke marrë frymë nuk ka familjare që ka dhënë deklarata te ndërkombëtarët e vendorët e asnjë përgjigje nuk kanë marrë”, tha Qerkini.

Ai po ashtu ka thënë se duhet më shumë transparencë, përkrahje nga institucioneve ndërkombëtare ushtarake në mënyrë që të kenë mundësi që të gjejnë vendet e dyshuara si varreza masive.

Ndryshe, Qerkini ka kërkuar që të ndërtohet një monument në shenjë të përkujtimit për personat e pagjetur. /KP