Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se paralajmërimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, se duhet të diskutohet për ndryshimet rreth pensioneve të veteranëve të UÇK-së, do të sjellin situata të pakëndëshme.
Ai në facebook ka shkruar se për këtë cështje nuk do të diskutojnë fare me Qeverisë dhe nuk do të pranojnë asnjë diskutim që dëmton interesat dhe të drejtat e veteranëve.
“Qeveria le të diskutoj me drejtor bordesh e agjencish të ndryshme të cilët marrin deri në katër mijë, pesëmijë euro dhe të merr vendime për uljen e pagave të tyre. Po ashtu le të diskutoj me përfaqësuesit e institucioneve që të ua ulë mëditjet dhe të bëj shkurtime në dreka darka e udhëtime të panevojshme. Në vend të mendojnë për një pension më të dinjitetshëm për këtë kategori ata planifikojnë uljen e pensioneve se po ju duken që u bënë qirak veteranët me 170 euro. Ne jemi të vendosur dhe të paluhatshem në qëndrimet tona dhe me asnjë çmim nuk do të tërhiqemi”, ka shkruar ai./KosovaPress/