Qentë endacakë janë bërë shqetësim i madh për qytetarët e komunës së Prishtinës.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, brenda Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, kur një turmë e qenve endacakë kanë sulmuar një nënë me një fëmijë.
“ORAinfo” ka siguruar një video kur qentë kishin filluar të sulmonin nënën dhe fëmijën e saj, derisa ata kalonin nëpër oborrin e kësaj klinike.
Për fat të mirë të kësaj nëne, kanë reaguar disa qytetarë të cilët me mjete të ndryshme kanë detyruar qentë të largohen nga nëna dhe fëmija i saj.
Në video dëgjohen klithmat e nënës dhe fëmijës, ndërsa aty shihen edhe qytetarët të cilët iu dalin në ndihmë.
Një qytetar i cili kalon çdo ditë kësaj rruge ka treguar për “ORAinfo” se në këtë pjesë të oborrit të QKUK-së për çdo ditë sulmohen qytetarë të ndryshëm nga turma qensh endacakë.
Sipas tij, deri më tani nuk ka ndërhyrë askush nga komuna për të bërë një zgjidhje të këtij problemi.