Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili aktualisht është nënkryetar i PSD-së, në një ligjëratë të mbajtur sot në Kolegjin AAB e pranoi se pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk do t’i fitonte zgjedhjet për kryetar komune.
“Po e vërtetë që unë mandatin e kam marrë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe gjithashtu unë e pranoj që nuk do të fitoja pa Lëvizjen dhe nuk do të isha këtu pa një strukturë, siç ka qenë struktura e Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh i pari i Kamenicës.
Por, sipas kryetarit Kastrati, qytetarët pos që kanë zgjedhur partinë, rëndësi të veçantë ka pasur edhe kandidati i cili e përfaqëson partinë, duke shtuar se Vetëvendosje nuk e ka shumicën në asamblenë komunale.
Në këtë ligjëratë, kryetari Kastrati, foli edhe për sfidat me të cilat përballet komuna e Kamenicës, ku tha se një nga problemet më serioze më të cilat ballafaqohet kjo komunë është buxheti i ulët.
“Jemi prej komunave që 80 për qind e buxhetit na shkon për paga, ky është problem serioz dhe në anën tjetër e kemi rreth 10 për qind të buxhetit që janë shpenzime operative të komunës, po supozojmë energjia elektrike, nxemja, ambulancat apo qendrat e mjekësive familjare, dhe e kemi vetëm 10 për qind të buxhetit për të bërë investime kapitale”, tha kryetari Qëndron Kastrati.
Kryetari Kastrati foli edhe për punësimet në Kamenicë prej marrjes së mandatit të tij si kryetar, ku tha se numri është i vogël, që sipas tij, shkaktar i kësaj është privatizimi i ndërmarrjeve publike në këtë komunë.
“Në të kaluarën Kamenica ka qenë njëra prej qyteteve me industrinë më të zhvilluar në Kosovë, ka pasur disa fabrika dhe disa miniera që fatkeqësisht me privatizimin ato nuk janë rikthyer në veprimtarinë që e kanë pasur edhe është zvogëluar jashtëzakonisht numri i punëtorëve, mendoj qe arsyeja kryesore është privatizimi por si shkak i dytë janë pasuritë nëntokësore që i kemi”, deklaroi kryetari.
Kastrati në këtë ligjëratë gjithashtu tregoi edhe stastikat për të papunët në këtë komunë si dhe për fitimin e granteve.
“Jemi komuna e parë, këtë vit që kemi fituar grante në Kosovë në aspektin për ndërtimin e fermave, për lopë, qumështore, ose vjeta edhe fusha të tjera, kjo është njëra prej fushave të mundësive se si kishte për tu zhvilluar Kamenica, se realisht gjendjen e kemi 2/3 të papunë sipas vlerësimit të agjencionit të statistikave”, u shpreh Qëndron Kastrati.
Kastrati foli edhe për kabinetin qeverisës të komunës ku tha se ajo është kryesisht e moshës së re, edhe pse, vazhdon ai, komuna nuk bën dallime sa i përket moshës tek njerëzit, por i vlerëson se si mendojnë.
Në fund të kësaj ligjërate, të gjithë studentët patën mundësi t’i bëjnë pyetje kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në këtë cikël të debateve./GazetaKNN/