Me dhjetëra tërmete kanë ndodhur muajt e fundit në vendet e Mesdheut. Vetëm ditën e kaluar ranë dy tërmete të njëpasnjëshme në Turqi, ndërsa para disa ditësh një lëkundje e fortë tërmeti është regjistruar sërish në Italinë Qendrore mëngjesin e së dielës. Sipas të dhënave tërmeti ka patur një fuqi prej 6.1 ballësh. Qëndra Sizmologjike Europiane-Mesdhetare ka thënë se edhe territori i Kosovës bën pjesë në zonën ku rreziku sizmik është i madh, shkruan Gazeta Express.
Qëndra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (CSEM-EMSC) tha për Gazetën Express se sa i përket Kosovës, vendi është pjesë e rajonit të Ballkanit, ku rreziku sizmik është i madh.
“Prandaj, një tërmet si ato në Itali ka mundësi të ndodhë gjatë një periudhe të gjatë kohore, por askush nuk e di nëse do të ndodhë nesër apo pas një shekulli”, thuhet në përgjigje.
Qëndra Sizmologjike në fjalë ka shpjeguar se sipas kontekstit global arsyeja që po bien tërmete në këtë periudhë është se po ndodh përplasja mes pllakave afrikane që lëvizin drejt veriut me ato euroaziatike.
Megjithatë, ajo ka thënë se ende nuk ka një konfirmim se a ekziston një lidhje midis tërmeteve në Itali me tërmetet që ranë në Maqedoni e Turqi.
Tërmeti i fundit i regjistruar në Kosovë është në muajin shtator, ndërsa vetëm muajin e kaluar me dhjetëra tërmete ranë në Maqedoni, Mali i Zi, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Itali e Turqi.