Aktuale

Qendra edukuese, shans i dytë për të miturit e privuar nga liria

Është inauguruar Qendra Edukuese-Korrektuese për të mitur në Lipjan, qendër kjo e cila po vlerësohet të jetë si një mundësi e dytë për të miturit që kanë problem me ligjin.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe të miturit që bien ndesh me ligjin do të gëzojnë të drejtat e tyre që burojnë nga Kushtetuta e Republikës të Kosovës.

“Në një të ardhme shumë të afërt do ta rishikoj legjislacionin i cili ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë së paligjshme, pra, atë që e presin qytetarët e Republikës së Kosovës edhe do të ndodh, do të krijojmë mekanizma efikas të cilat do të mundësojnë që ajo pasuri kudo qoftë, qoftë e zyrtarëve, qoftë e bizneseve që është e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se themelimi i Qendrës Edukuese-Korrektuese për të mitur shënon një dekadë të re në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ajo ka vlerësuar lart punën e institucioneve të Kosovës, Policisë dhe OJQ-ve në këtë fushë.

“BE ka vendosur që të investoj në Kosovë një shumë të konsiderueshme të parave, 3 milionë euro për këtë objekt ne vlerësojmë se është një investim i vlefshëm… Ju kërkojë që të përdorni një qasje të matur drejt menaxhimit të këtij institucioni dhe duke mbajtur në mend mirëqenien e fëmijëve…. Dua të theksoj se progresi i arritur tani në fushën e fëmijëve është rezultat i një angazhimi të madh të institucioneve të Kosovës. …. Kam kënaqësinë të shoh një qendër të tillë e cila ka për qëllim t’iu jap këtyre të rinjve një mundësi të dytë në jetën e tyre”, është shprehur ajo.

Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Brandao Co, ka thënë se kjo Qendër duhet të shihet si vendqëndrim afatshkurtër për të rinjtë që kanë problem me ligjin, pasi që vendi më i mirë për ta mbetet familja.

“Megjithëse janë arritur rezultate të konsiderueshme si pjesë e procesit të sistemit të Drejtësisë, Kosova ende duhet të sigurojë që kjo kornizë ligjore të përkthehet në siguri dhe mbrojtje për të rinjtë të cilët janë në kontakt me ligjin sepse ne e shohim si masë e përkohshme që të rinjtë të qëndrojnë këtu….të sigurohet që Qendra në Lipjan të zbatojë programin në mënyrë të suksesshme në mënyrë që të sigurojë edukimin e suksesshëm dhe risocializimin e këtyre fëmijëve në shoqërinë e Kosovës”, tha ai.

Në një prononcim për media, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj ka thënë se deri më tani në shërbimin korrektues ka 14 të rinj, ndërsa i pyetur rreth mundësive që ofrohen që këta të rinj të ndjekin mësime, ai ka thënë se këtë e ka marrë përsipër Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Telashet nuk janë vetëm sivjet, edhe viteve të kaluara ka pasur problem. Ka qenë mosmarrëveshje mes komunës dhe ministrisë, ne kemi ndërhyrë disa herë mirëpo nuk ia kemi arritur qëllimit, mirëpo ministri e ka marrë përsipër që bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe komunën do ta zgjidhin këtë problem”, tha ai

Qendra Edukuese-Korrektuese për të mitur, është projekt i përbashkët, i bashkë financuar nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Drejtësisë./kp