Para se të merrnin pjesë në procedura tenderuese, biznesmenët kontaktonin tashmë ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa, e më pas merreshin vesh mes vete se cili prej tyre do të fitonte.
Kështu, sipas Prokurorisë Speciale, jepeshin tenderët në Komunën e Gjilanit, ndërsa tash ish-kryetari Mustafa, përmes mesazheve telefonike, sipas Prokurorisë, jepte udhëzime dhe ndërhynte që një operator i caktuar, të shpallej fitues, e ndonjëherë në mënyrë arbitrare, jepeshin punë në vlerë të afër një milioni euro, raporton KTV.
Në një rast, ish-Mustafa, sipas Prokurorisë, në mënyrë arbitrare, i kishte dhënë operatorit ekonomik “Bejta Commerce”, një punë në vlerë prej 787 mijë eurosh.
E, në këmbim të tenderëve edhe ishin punësuar njerëz, si në rastin e ish-drejtoreshës së Prokurimit, Hatixhe Daku, që i kishte përcjellë me sms emrat e vajzës, dhëndrit dhe një personi të tretë, pronarit të kompanisë “Eurotrans”, Burim Govori.
Pas ngritjes së aktakuzës, ish-kryetari i Gjilanit, Mustafa, ka reaguar duke paralajmëruar dorëheqjen e tij nga pozita aktuale, si pjesë e bordit të ZRRE-së.