Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të pranojë për hetim 24 ankesa të kandidatëve për deputet të subjekteve politike për zgjedhjet e 11 qershorit. Vendim do të ketë edhe për 41 ankesat të tjera për të cilat do të dihet të hënën.
Kryeshefi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku, tha për KosovaPress se nga 65 ankesa sa kanë pranuar gjithsejtë, 24 kanë vendosur t’i hetojnë, ku do hapen 30 kuti të votimit.
“Paneli pasi ka përfunduar afati për paraqitjen e ankesave ka punuar intensivisht dhe vendosur që bëjë hetimin e 24 ankesave, respektivisht 30 kutive të votimit, kështu që paneli sot këtu përbëhet prej tri ekipeve, të cilat i udhëhiqet tre gjyqtar me stafin teknik dhe janë duke hetuar ato kuti për të cilat kandidatët janë ankuar, kanë paraqit dëshmi dhe pretendime te tyre ankimore për t’i verifikuar votat e tyre”, tha ai.
Ai tha se pret që brenda ditës të përfundohet i gjithë procesi, pasi kanë angazhuar tri ekipe për ta kryer këtë hetim.
“Po shpresojmë sot gjatë ditës të përfundojnë, mirëpo edhe pas këtij hetimi i del punë panelit për të shqyrtuar, për të caktuar seancat për të marrë vendime dhe mi njoftu ankuesve”, tha ai.
Ndërsa, lidhur me ankesat 41 ankesat tjera, ai thotë se paneli do të vendos edhe për ato, kurse, vendimet për gjithsejtë 65 ankesat do të bëhen publike të hënën.
“Paneli do të merr vendime edhe për ato, varësisht prej pretendimit do të merret vendimi, kështu që palët do të njoftohen të hënën në ora 14:00 do të njoftohen me vendime lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë numërimit të votave”, tha ai.
Pas vendimit të PZAP-së, palët kanë kohë 24 orë të ankohet në gjykatën Supreme, kurse, kjo e fundit ka kohë 72 orë për të marrë vendim për rikthim në PZAP ose vendim që është në përputhje me vendimin e PZAP-it.
Përndryshe, me së shumti ankesa në PZAP kanë parashtruar kandidatët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, me gjithsejtë 22 ankesa, derisa, koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 19 ankesa./KP