Përpjekjet për të krijuar një botë unipolare kanë dështuar dhe ekuilibri në arenën ndërkombëtare po rikthehet.
Kështu ka deklaruar Presidenti rus, Vladimir Putin, për televizionin rus NTV.
“Situata po ndryshon. Mendoj se tani nuk është një sekret dhe të gjithë mund të shohin se si shumë nga partnerët tanë preferojnë të përdorin normat e së drejtës ndërkombëtare, meqë në botë gradualisht po kthehet baraspesha. Përpjekjet për të krijuar një botë unipolare kanë dështuar”, tha Putin, duke shtuar se “tani jetojmë në një dimension tjetër “, raporton agjensia Tass.
Sipas tij, Rusia gjithmonë e ka kuptuar se duke mbrojtur interesat e saj kombëtare, duhet të respektojë interesat e të tjerëve.
“Kështu ne do të zhvillojmë marrëdhëniet me të gjithë partnerët tanë”, ka shtuar Putin.
Ai vuri në dukje se në botën moderne njerëzit “i dëgjojnë ata, zëri i të cilëve është mjaftueshëm i zëshëm për t’u dëgjuar”.
Duke iu referuar kryetarit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti rus e përshkroi atë si një “njeri të zgjuar”, i cili, është i bindur Putin, do të jetë shumë i përgjegjshëm në pozitën e re.
“Trump është i suksesshëm në biznes, gjë që tregon se është njeri i zgjuar, dhe, si i tillë, do të realizojë së shpejti edhe nivelin e dytë të përgjegjësisë”, përfundoi Putin./Express/.