Me padi është kërcënuar Kompania e sigurimit fizik “Security Code” nga disa punëtorë, të cilëve nuk u është vazhduar kontrata e punës, shkruan sot Koha Ditore.
Këta punëtorë, që dikur i përkisnin Divizionit Mbrojtja dhe Siguria në kuadër të KEK-ut, kanë thënë se nga marrëveshja me Bordin e KEK-ut që ishte bërë në vitin 2004 pas privatizimit të këtij sektori, çdo operator ekonomik që do të fitonte tenderin për sigurimin e objekteve të KEK-ut, është i obliguar që të mbajë në punë ata. Por kjo nuk ka ndodhur edhe në fillim të janarit, kur përnjëherë u kishte skaduar kontrata e punës kompanisë “Security Code” në KEK, por edhe punëtorëve. Të parës i është vazhduar kontrata, por jo edhe të gjithë punëtorëve.
“5 ish-punëtorë të KEK-ut na kanë larguar që i kemi më shumë se 30 vjet punë. Janë edhe 30 veta që i kanë larguar e që kanë filluar të punojnë pas privatizimit”, ka thënë Avni Mulaku, njëri prej rreth 30 vetave që nuk i është vazhduar kontrata e punës.
“Marrëveshja me Bordin e KEK-ut nuk i lejon të na largojnë prej pune. Atij (kompanisë v.j.) i është vazhduar kontrata (aneks kontratë) edhe për 3 muaj deri më 1 prill. Në bazë të marrëveshjes kushdo që vjen duhet të na bëjë kontratën. Prej vitit 1984 punoj në KEK, qe 34 vjet”.
Avni Mulaku thotë se arsyeja e mosvazhdimit të kontratës është se ai bashkë me të larguarit e tjerë kanë qenë me të zëshmit për t’u kthyer në KEK.
“Na kanë dhanë vërejtje veç me na etiketuar se gjoja kanë munguar disa hekura që nuk kanë pas vlerë as 10 euro. As ato nuk kanë munguar, po ne e kemi ngrit zanin për me u kthye në KEK edhe për këtë na kanë dhënë vërejtje edhe na kanë larguar”.