Aktuale

Punonjësit e Shërbimit të Jashtëm të Kosovës bëhen me sindikatë

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës-SHSASHJ, me vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale më datë 19 maj 2017, është regjistruar në regjistrin përkatës të Shoqatave Sindikale dhe rrjedhimisht ka filluar me aktivitet e veta në pajtim me ligjet në fuqi.

SHSASHJ është themeluar në Kuvendin Themelues më datë 3 mars 2017 nga anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në Kuvendin Themelues, kjo shoqatë ka zgjedhur kryetarin, nënkryetarët dhe sekretaren në këtë përbërje: Avni Hasani-kryetar, Eqrem Haziri-nënkryetar, Arben Loshi-nënkryetar, sekretare Afërdita Arifi, dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv Ilir Dugolli, Shkëndije Sherifi, Avni Zogu, z. Diamant Kastrati, Sebahate Beqiri, Srdjan Sentić, Petrit Prekazi, Sami Halili, Enis Xhemaili dhe Bejta Kapiti.

Po ashtu, në Kuvendin Themelues, SHSASHJ ka aprovuar Statutin dhe logon e saj.

Synimet kryesore të SHSASHJ-së janë mbrojtja dhe avancimi i dinjitetit, të drejtave dhe interesave legjitime të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe angazhimi për respektimin e vazhdueshëm të kritereve të profesionalizmit dhe ekspertizës gjatë procesit të vendimmarrjes për rekrutimin dhe emërimin, gradimin dhe ngritjen në karrierë diplomatike të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, pjesëmarrja aktive dhe ndikim në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore që kanë të bëjnë me pozitën dhe të drejtat e anëtarëve të saj.

Anëtarë të Shoqatës në fjalë janë ambasadorë të karrierës dhe diplomatë tjerë të rangjeve të ndryshme, pjesëtarë të stafit diplomatik dhe konsullor në Misionet Diplomatikë të Republikës së Kosovës dhe anëtarë të përhershëm të MPJ-së.