Aktuale

Punëtorët bllokojnë “Ferronikelin”, s’lejojnë eksportin e xehes

Punëtorët e Ferronikelit kanë bllokuar hyrjen e kësaj fabrike, për të mos lejuar bartjen e xeheve nga fabrika drejt Maqedonisë.

Punëtorët akuzojnë menaxhmentin se në mënyrë të fshehtë është përpjekur të bartë në orët e para të mëngjesit të së enjtes xehet nga fabrika.

Pasdite, sindikalistët janë takuar me menaxhmentin, por sipas kryetarit të sindikatës, drejtuesit e fabrikës nuk kanë dhënë asnjë shpresë se fabrika do të rinisë prodhimin.

Punëtorët, të lodhur dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre, kanë kërkuar ndihmën e institucioneve për të mundësuar nisjen e punës, pasi situata ekonomike e tyre ka filluar të përkeqësohet.

Burime të KTV-së brenda kësaj fabrike kanë bërë të ditur se kamionët janë porositur që të vijnë nga Maqedonia dhe të marrin materialin e gatshëm nga rezervat brenda fabrikës, të mbetura para se ndërmarrja të ndalte prodhimin.

Komuna e Drenasit ka liruar për një vit nga tatimi ndërmarrjen, por ka kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të qeverisë. Kohavisioni ka kërkuar nga Doganat numrin e kamionëve që janë ngarkuar me xehe nga Ferronikeli dhe të njëjtin e ka eksportuar në fabrikën në Kavadarc të Maqedonisë, por ata nuk kanë dërguar të dhënat.