Tentim puçi që ndodhi një vit më parë në Turqi, i cili ka ngritur dyshime të shumë vende evropiane, gjen hapësirë reklamimi dhe fushate në Maqedoni.
Tabela të shumta reklamuese kanë pushtuar rrugët e qyteteve të Maqedonisë, përfshi edhe kryeqytetin. Në tabela shkruhet “15 korrik – Demokracia fitoi”, duke iu referuar asaj që pushteti i Erdoganit e quan “Puç” nga forcat gyleniste në Turqi.
Për vendosjen e këtyre bilbordeve Ambasada e Turqisë nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë, por e hedh atë te Lidhja e OJQ-ve turke “Matusiteb”. Nga kjo lidhje, e kontaktuar nga ALSAT thonë gjithsesi se të gjitha aktivitetet për shënimin e 1 vjetorit të ngjarjeve në Turqi, janë prapëseprapë në koordinim me Ambasadën turke në vend.