Kosova dhe Gjermania, respektivisht ministri i shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili dhe ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn kanë nënshkruar dje një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi në mes të dy vendeve.
Në bazë të kësaj marrëveshje, e cila është publikuar sot bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë do të orientohet në katër fusha kryesore.
Fusha e parë dhe kryesore e këtij bashkëpunimi do të jetë ndihma dhe asistimi në funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Kjo pritet të bëhet përmes shkëmbimit të ekspertizës, informacionit dhe përvojave në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë.
Ndërkohë rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë tri fushat tjera të marrëveshjes.
Marrëveshja thotë se kjo mund të arrihet përmes shkëmbimit të ekspertëve, delegacioneve dhe personelit shëndetësor në fushën e shëndetësisë me qëllim të realizimit të trajnimeve afatshkurtra si përmirësimi i aftësive profesionale dhe konsulencës.
Në anën tjetër mbështetja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet fondacioneve, institucioneve dhe organizatave përkatëse do të mundësojnë një pjesë të implementimit të marrëveshjes.