Verifikimi për vendosjen e stentave kërkon mekanizma të veçantë dhe kjo praktikë edhe pse mungon në Kosovë, ka pasur mundësi që të bëhet një verifikim i tillë, madje falas.
Mjeku që sot vepron si drejtor i divizionit të kardiologjisë invazive në spitalin St. Barnabas në New York, Sulejman Çelaj ka thënë se ai bashkë me kolegët e tij në një takim me ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-kryeministrit Thaçi ka ofruar shërbime falas lidhur me verifikimin e stentave, gjë që nuk është pranuar nga ata, transmeton Koha.net.
“Unë i kam ofruar shërbime të mijat falas ish ministrit të Shëndetësisë Agani në një takim jozyrtar në New York që do i bëj të gjitha ato falas, me shpenzime te mija do vi këtu që të bëhen në mënyrën më profesionale dhe mu më është thënë nga njerëz të elitës politike shqiptare që ne nuk mund t’i bëjmë si amerikanët, shqiptarët nuk dinë t’i bëjnë këto punë, për neve janë të paarritshme gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha këto mund të bëhen nëse dënohen abuzuesit dhe krijohen mekanizma.
“Unë me shumë kënaqësi u jam ofruar në takime jozyrtare edhe kryeministrit ose ish kryeministrit dhe ministrit shëndetësisë si në Kosovë dhe Shqipëri që jemi të gatshëm, unë me shumë kolegë që të bëjmë punë vullnetare, pa pagesë dhe me shpenzime tona”, përfundoi Çelaj.