Në rrugën ‘Qamile Jaka’ në Prishtinë, mbrëmë ka filluar shembja e dheut. Dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të shpërthimit të një gypi të ujësjellësit.
Mirëpo këtë e ka mohuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Kjo kompani thotë se gypi i ujësjellësit ka pëlcitë për shkak shembjes së dheut.
“ Më datë 13.05.2019, rreth orës 00:40 minuta, ekipet e KRU ,,Prishtina,, kanë marrë njoftim se ka shpërthyer një tubacion i furnizimit me ujë të pijshëm në Lagjen e Muhaxhirëve afër stacionit të policisë nr.2. Ekipet teknike të KRU ,,Prishtina,, kanë dalë menjëherë në terren dhe rreth orës 00:55 minuta kanë ndërprerë linjën e furnizimit me ujë që është linjë HDPE RC Ø 110 mm e montuar në vitin 2014. Dëmtimi i kësaj linje ka ardhë si pasojë e shembjes së dheut ne gropën ndërtimore të objektit që është në fazë ndërtimi, në pjesën e poshtme të rrugicës. Një material i tillë siç është materiali HDPE pranon lëvizje të vogla dhe devijime deri ne 11°, por jo me shumë”, thuhet në njoftimin e kompanisë së Ujësjellësit.
Tutje në komunikatë thekson se gjatë ditës së sotme ekipet kanë dalë në teren. Pas analizës së marrë nga tereni KRU Prishtina thotë se ekzekutimi i punimeve në gropën ndërtimore të objektit posht rrugicës është bërë në mënyrë jo profesionale.
“Në orët e mëngjesit të ditës se sotme ekipet e KRU ,,Prishtina,, kanë dalë prapë në terren, ku prezent ka qenë Drejtori Teknik, Menaxheri i Mirëmbajtjes si dhe ekipet tjera. Pas analizës së marrë nga terreni, shihet qartë që, ekzekutimi i punimeve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë jo profesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore. Sipas njoftimit të nga zyrtarët policor në terren, shembja e dheut në gropën ndërtimore ka filluar rreth orës 23:00, ndërsa tubi ka pëlcitur pas rreth 1 orë e 30 minuta, atëherë kur dheu i shembur e ka tërhequr tubin e ujësjellësit deri ne masën që e ka shkëputur nga lidhjet”, thuhet tutje në njoftim.
Kjo kompani tutje thotë se mbrojtja me pilota është jashtë çdo standardi për ekzekutim punimesh dhe mbrojtje në kantier.
Ndërkaq për shkak të shembjes së dheut është ndërprerë mësimi në shkollën fillore “Naim Frashëri”./FaktePlus