Muaj më parë është paralajmëruar për krijimin e një partie të re nga deputeti Ilir Deda dhe nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Në këtë iniciativë të re politike u përmenden edhe politikanë të ndryshëm që mund të jenë pjesë e kësaj partie si Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani. Pothuajse kanë kaluar disa muaj nga publikimi i kësaj ideje dhe ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
Ndërkaq, analistët mendojnë se krijimi i kësaj partie duhet të bëhet sa më parë dhe brenda saj të mos ketë figura të konsumuara, e aq më pak politikanë të kompromentuar.
Infopress ka provuar disa herë të marrë një qëndrim nga Ilir Deda dhe Mimoza Kusari se kur do të themelohet kjo parti, por nuk arritëm të marrim asnjë përgjigje.
Analisti Adrian Çollaku për Infopress tha se në Kosovë ka hapësirë për një subjekt të ri politik, për një frymë të re politike.
“Ilir Deda e Mimoza Kusari-Lila përkundër që kanë paralajmëruar formimin e një subjekti të ri politik, ata duket se kanë telashe që të mbledhin njerëz rreth vetes së tyre. Ju e dini që fillimisht u paralajmërua formimi i partisë në muajin qershor, ndërkaq tani planifikojnë ta themelojnë përgjatë këtij muaji. Mirëpo, që nuk po shohim hapa konkret nuk ka dilema se në Kosovë ka hapësirë për një subjekt të ri politik, për një frymë të re politike, sesa kjo klasë aktuale politike, është treguar e papërgjegjshme, arrogante dhe e paaftë ta drejtoj vendin, drejt një shteti funksional e ligjor”, tha ai për Infopress.
Analisti Faik Krasniqi tha për Infopress se Kosovës i duhet një parti apo alternativë e re që ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje e mjerueshme.
“Padyshim që ka hapësirë dhe nevojë për një subjekt të ri politik në vend. Kam thënë vazhdimisht se Kosovës i duhet një alternativë e re. Sepse kasta e vjetër politike dëshmoi së çfarë janë në gjendje të na bëjnë.Dhe alternativa e vetme që mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje e mjerueshme, është krijimi i një formacioni të ri politik, i përbërë nga intelektualë të rinj, profesionistë, me integritet të lartë dhe të panjollosur, me të cilët jo vetëm që do të kishim zhvillim të hovshëm ekonomik, por edhe integrim më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai. Krasniqi tutje shton se Deda dhe Kusari-Lila duhet të kenë kujdes se kë e marrn në parti.
“Në partin e re të cilën janë duke e krijuar Ilir Deda dhe Zonja Mimoza Kusari, nuk duhet të ketë brenda saj figura të konsumuara, e aq më pak më politikanë të kompromentuar, sepse me njerëz të tillë kjo parti do të ishte një dëshmi dhe këtij pushteti të korruptuar dhe kriminal vetëm sa do t’ia zgjaste jetën”, theksoi ai.
Edhe analisti tjetër, Ali Hertica për Infopress tha se për të mbijetuar partia nga Ilir Deda dhe Mimoza Kusari duhet të mbledhin njerëzit e mirëfilltë.
“E gjithë shoqëria kosovare është duke e kërkuar një subjekt të ri politik që do ti ndryshonte të gjitha gjërat që tani janë duke e preokupuar qytetarin. Partitë politike që janë deri tani thuajse janë treguar jo efikase në shtetndritimin dhe shtyrjen e shtetit në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e vendit, ku është zvogëlimi i papunësisë dhe i varfërisë. Politika dhe partia që tani janë në pushtet dhe ato që ishin janë parti zhvatje dhe partitë të cilat e kanë keqpërdor të gjithë thesarin e shoqërisë, duke vjedhur dhe keqpërdor të gjitha bandat kriminale dhe komandantet e luftës”, është shprehur ai. Sipas Herticës, dalja e një subjekti të ri politik do të ishte shpëtim i qytetarit. “Çdo subjekt politik të ketë fytyra të reja në politikë pa pasur asnjë dosje të krimit apo keqpërdorimit të të mirave materiale.
Mimoza Kusari dhe Ilir Deda duhet të shtrijë fushatën që ti mbledhin njerëzit e ngritjes të mirë fillet ideore dhe të familjeve të mëdha për ta fituar pushtetin, e jo familjar dhe parti të postave siç janë tani këto tjerat, se ndryshe kjo parti as që do të ketë efekt për të mbijetuar”, u shpreh ai.





















