Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është duke realizuar vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arsyeja e kësaj vizite ishte pjesëmarrja në ”Lutjen e Mëngjesit” në SHBA. Mirëpo, ndryshe del të jenë arsyet e këtij udhëtimi.
Në një intervistë për median amerikane, “The Daily Beast”, thuhet se Kosova po kërkon ndihmë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, pasi i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se po planifikonte të fliste me Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit rreth çështjeve të sigurisë që kërcënonin një të ardhme të qëndrueshme të Kosovës, transmeton “Zëri.info”.
Autorja e kësaj interviste shkruan se shteti ballkanik, të cilin SHBA-ja e ndihmoi të shkëputet nga Serbia në luftën e vitit 1999, tani po rrënohet nga mafiat, ndarjet etnike, ndërhyrjet ruse dhe rekrutuesit e ISIS-it
Sipas këtij artikulli, Kosova shpreson se Trump do ta ndihmojë.
“Amerikanët dhe aleatët e tyre të cilët luajtën një rol shumë të rëndësishëm për Kosovën në luftën e vitit 1999 nuk i lanë kurrë pas dore. Ndonëse forcat janë tërhequr ndër vite, qindra ushtarë amerikanë janë vendosur në kampin Bondsteel në lindje të vendit, siç thuhet në një raport të Deparatamantit të Mbrojtjes, thonë: “Misioni ynë kryesor në Kosovë është zbatimi i ligjit”, shkruan tutje autorja e artikullit në The Daily Beast.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në intervistën e dhënë për “The Daily Beast”, tha se po planifikon të flasë me Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit rreth çështjes së sigurisë që po kërcënon të ardhmen stabile të Kosovës.
Në artikull thuhet se Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën e vazhdueshme, njofton ‘Zëri.info’.
“Bota nuk duhet të injorojë asnjë aspekt të ndjeshmërisë në këtë rajon,” tha kryeministri Haradinaj për “The Daily Beast”.
Në intervistë, kryeministri Haradinaj ka specifikuar një kërcënim të trefishtë: Konfliktin e pazgjidhur me Serbinë, ky i mbështetur nga Moska, kosovarët duke u rekrutuar për të luftuar për forcat e Shtetit Islamik dhe grupet mafioze që thuhet se drejtonin pjesën veriore të Kosovës, ku lideri serb Oliver Ivanoviq, u vra vetëm një muaj më parë.
Kështu shkruan artikulli i “The Daily Beast” që i dedikohet vizitës së Ramush Haradinajt në SHBA me titullin, ”Pse Kosova po e kërkon ndihmën e Trump”.