Aktuale

Provohet vullnetarizmi edukativ në Kosovë

Ka filluar kampi ‘Dizajni dhe Natyra’ me 40 të rinjë nga e gjithë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ku përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative, do të zhvillojnë projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.

Përmes projekteve të zhvilluara gjatë kampit ‘Dizajni dhe Natyra’, këta të rinjë synojnë të përmirësojnë hapësirat publike të gjelbëra në Kosovë.

Sipas një komunikate të Organizatës Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA, ky kamp ka për qëllim të promovojë vullnetarizmin edukativ në Kosovë, si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare.

“Kampi organizohet me mbështetjen e fondacionit ʼUnë e du Kosovënʼ, organizatës botërore për mjedis ʼWWF Adriaʼ dhe Komunës së Prishtinës. Partnerët të cilët do të jenë pjesë e organizimeve gjatë kampit janë organizata VORAE ʼVoice of Roma, Ashkali and Egyptiansʼ, komuniteti ʼTermokissʼ dhe studio e arkitekturës ʼArchitecture for Humansʼ, thuhet në komunikatë./KosovaPress/