Aktuale

Protestuesit në Skenderaj kërkuan që drejtësia të zhvishet nga politika

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarët e Skenderajt, bashkë me zyrtarë komunal të kësaj komune sot mbajtën një marsh protestues për të shprehur pakënaqësitë e tyre për vendimet në rastin ‘Drenica I’ e veçanërisht për rastin e vendimit ndaj Sami Lushtakut.

Përfaqësuesi i Këshillit Organizativ Xhevat Dervishi tha se me anë të kësaj proteste shprehin  pakënaqësitë e tyre me moton: “Të zhvishet  drejtësia nga politika”.

“Ajo çka ne sot bëmë është një marsh protestues së bashku me shoqatat në lidhje me vendimin që ka dhënë Gjykata në lidhje me rastin ‘Drenica’. Kjo ishte rruga që na bën të kërkojmë  që drejtësia të jap fjalën e vet. Kësaj radhe …kërkojmë ne që Gjykata supreme ta thotë fjalën e vet dhe ta zhvesh këtë rast drejtësinë prej politikës”, tha Dervishi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës i cili mori pjesë në këtë protestë, Bekim Haxhiu, shprehi pakënaqësinë e tij për vendimet e gjykatave, të cilat sipas tij janë absurd ndaj Sami Lushtakut. Ai tha se Lushtaku është dënuar për një vrasje inegzistente,  për vrasje, të cilën sipas tij,  Gjykata e Apelit pastaj e liron.

“Është shprehjeje e pakënaqësisë për vendimet tërësisht absurde. Fillimisht Lushtaku është dënuar për një vrasje inegzistente, për vrasje të cilën gjykata e Apelit pastaj e liron dhe është liruar për përgjegjësi komanduese nga Gjykata Themelore, ndërsa, Gjykata e Apelit pastaj e ka ngarkuar. Ne kemi dy vendime liruese për Lushtakun për çka është akuzuar fillimisht, prandaj, që qytetarët kanë të drejtë me shpreh pakënaqësinë e tyre”, tha Haxhiu.

Qytetari Hashim Meha, i cili mori pjesë në protestë tha se dënimet për rastin ‘Drenica I’ dhe ‘Drenica II’, janë vendime politike dhe elemente të veprës penale, sipas tij,  nuk ka. Meha tha se të gjitha vendimet janë politike, posaçërisht për gjeneralin Sami Lushtaku dhe të gjithë të tjerët.

“Ne kemi dalë të protesojmë sot për dënimin e Grupit ‘Drenica I’ dhe ‘Drenica II’, të cilët padrejtësisht janë dënuar në shkallën e parë dhe të dytën. Ai vendim është politik dhe elemente të veprës penale nuk ka, vendimet të gjitha janë politike posaçërisht për gjeneralin Sami Lushtaku dhe të gjithë të tjerët. Andaj, kërkojmë prej drejtësisë që ta jap fjalën tek shkalla e tretë Gjykata Supreme ta nxjerrë verdiktin dhe t’i lirojë nga të gjitha aktakuzat të cilat janë pa kurrfarë baze ligjore. Me një dëshmitarë të rrejshëm nuk dënohet askush, me një njeri të sëmurë psiqikisht”, tha Meha.

Edhe qytetari Musa Buzhala, shpreu pakënaqësinë e tij për vendimet e marra nga sistemi i drejtësisë që po bëhen kundër ish -ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantëve të UÇK-së.

Marshi protestues në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë, ka përfunduar i  qetë dhe pa incidente.

Në rastet “Drenica I” dhe “Drenica II” ish-eprorë të UCK-së nga rajoni i Drenicës janë dënuar për krime lufte të cilat supozohet se kanë ndodhur në verën e vitit 1998 në fshatin Likoc të Skënderajt. /KP