Qindra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e krerëve të Policisë dhe largimin e gjithë policëve abuzues.
Me moton “Përdhunuesit në burg” të rinjtë kanë thënë se përdhunuesit nuk do të kenë se ku të fshehën.
Adelina Tërshani nga Iniciativa e të Rinjve në Kosovë, ka thënë se dhunuesve ju ka ardhur fundi.
“Në shoqërinë tonë gratë rrihen, dhunohen në shtëpitë e tyre e në rrugë. Dhuna ndaj grave është sistematike dhe thirrjet e grave nuk dëgjohen. Kjo shoqëri e këto institucione heshtin. A duhet me ul kryt e me pranu me jetu kështu? A nuk po tronditemi çdo ditë e mu qu e me luftu të vërtetën. Ne duhet të bashkohemi të gjithë kundër të vërtetës. I gjithë shteti është kundër juve. Sot po ju themi të gjithëve që dhunuesve ju ka ardh fundi. As prapa manteleve të bardh as prapa policisë e as mbrapa ditarëve s’keni ku të fshiheni më”, tha Tërshani.
Një postim që ka bërë e dhunuara në luftë Vasfije Krasniqi-Googman, e ka lexuar vëllau i saj, duke inkurajuar të gjitha grat që të ngrisin zërin dhe të kërkojnë drejtësi.
“Unë e kam ndarë rrëfimin tim të hidhur por edhe juve vajza dhe gra të Kosoves ju inkurajoj të ngritni zërin dhe të kërkoni drejtësi, Dhunuesi ngelet dhunues dhe ai duhet marr dënimim e merituar!”, ka shkruar ajo.
Gjatë gjithë protestës, pjesëmarrësit kanë kërkuar nga policët që të shtyhen dy hapa mbrapa në mënyrë që të tregojnë se nuk e mbështesin kolegun e tyre që ka abuzuar seksualisht me një të mitur.
Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se nesër në Drenas, do të mbahet protesta tjetër ku do të nis nga shkolla Gjergj Kastrioti deri në qendër tek stacioni i Policisë në Drenas. /FaktePlus