Aktuale

#Protestoj: PDK- Partia e Diktaturës dhe Korrupsionit!

Grupi i qytetarëve #Protestoj për të 9-ten herë më radhë ka protestuar sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kundër ish shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, dhe bashkëpartiakëve të tij të përfshirë në aferën e ashtuquajtur “Dosja e Shefave”.

Protesta filloi me zërimin e audio-incizimeve të Grabovcit të publikuara nga Insajderi muaj më parë.

Ata kanë shfaqur pakënaqësitë ndaj kësaj qeverie duke theksuar se nuk e pranojnë një qeverisje cila është në shërbim të klaneve.

Imer Mushkolaj, nga grupi #Protestoj, e ka quajtur qeverinë aktuale si të shëmtuar, pasi që sipas tij, kjo është në shërbim të klaneve e jo në shërbim të qytetarëve. Mushkolaj tha se protestuesit po kërkojnë çlirimin e institucioneve të vendit.

“Jemi mbledhur sot sërish këtu,në sheshin tonë për të kërkuar çlirimin e institucioneve tona. Ne nuk pranojmë mënyrën e qeverisjes së atyre që udhëheqin këto institucione, një qeverisje në shërbim të klaneve të ndryshme, e jo në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim tonin. Ata po qeverisin ndryshe nga ajo që synojmë të gjithë ne, ndryshe nga ajo që kanë synuar gjenerata të tëra, ndryshe nga qeverisja në themele të cilës janë liria, drejtësia dhe barazia. Kjo është edhe ëndrra e gjeneratës së re në Kosovë. Kjo është edhe synimi ynë. Andaj ne protestojmë. Andaj unë protestoj” tha Mushkolaj.

Mushkolaj, duke përmendur arsyet për të cilat do të protestojnë edhe në ditët në vazhdim, tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë rrugëdalje tjetër përpos që të dalin në rrugë dhe të shprehin mllefin e tyre, ndaj pushtetit jofunksional dhe se klika “Pronto” sipas tij, nuk po e integron Kosovën në Evropë, dhe nuk po i liberalizon vizat por krimin dhe korrupsionin.

“Protestojmë kundër drejtësisë selektive. Mu ata që dëshmuan në Dosjen e Shefave, në përgjimet PRONTO se si e thyejnë ligjin, bëjnë gjithçka për t’i ikur përgjegjësisë.#Protestojmë se në Kosovë prezumimi i pafajësisë vlen në një rast gjyqësor, por nuk vlen në një tjetër, siç është rasti i Adem Grabovcit.#Protestojmë kundër klikës së korruptuar PRONTO, sepse kjo klikë nuk po e integron Kosovën në Evropë dhe nuk po i liberalizon vizat, por po e liberalizon krimin e korrupsionin” tha Mushkolaj.

Protestuesit kanë bërë të ditur se qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të protstojnë, derisa të ketë transparencë dhe llogaridhënie politike nga të gjithë personat e përfshirë në skandalin e përgjimeve.

Ata kanë kërkuar hetim penal ndaj tyre si dhe të bëhet shkarkimi i bordeve dhe rizgjedhja e tyre. Q.Uka/KP