Aktuale

Protestë në Drenas, “Stop lojës me dëshmorët” (Foto)

Me moton “Stop lojës me dëshmorët”, sot u mbajt protesta e radhës e nga banorët e fshatit Shtrubullovë.

Me foton e dëshmorit të kombit Agron Mehmeti dhe me pankarta ndër të cilat edhe ajo “Stop lojës me dëshmorë”, ata treguan edhe një herë vendosmërinë e tyre se nuk do të lejojnë të luhet me dëshmorët, pavarësisht interesave të ndryshme personale, siç thanë të profiterve të caktuar.

Ata i bënë thirrje institucioneve lokale përgjegjëse që të ndërmarrin veprime të duhura dhe të përmirësojnë vendimin e Kuvendit Komunal të datës 27.02.2017, në të kundërtën ata paralajmërojnë se në asnjë rrethanë nuk do të lejojnë emërtimin e rrugës sipas këtij vendimi, duke paralajmëruar edhe ndryshimin e formës së protestës.

Protestuesit bënë të ditur, se kanë informata të cilat shumë shpejt do t’i publikojnë, por edhe materiale të ndryshme që do të qesin në shesh edhe pazaret dhe kërcënimet e natarëve të Komisionit për emërtimin e rrugëve.

Ata falënderojnë të gjithë pjesëmarrësit, e në veçanti Policinë e Kosovës, që u kujdesen për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ndërsa për hapat tjerë thonë se opinioni dhe mediat do te njoftohen me kohë.

Ndryshe në Drenas ka pasur edhe ditë më parë protestë para objektit të Komunës, nga banorë të disa fshatrave, të cilët protestuan kundër emërtimit të disa rrugëve, raporton KosovaPress.