Aktuale

Protestë e shoqërisë civile kundër importit të mbetjeve

Shoqëria civile dhe qytetare kanë nisur te Parku Rinia protestën kundër importit të mbetjeve, nën drejtimin e Aleancës kundër importit të plehrave, që më pas u zhvendosen në drejtim të Kryeministrisë.

Për mbarëvajtjen e kësaj proteste janë angazhuar afro 500 forca policore. Protestuesit e radhëve të para mbanin një banderolë të madhe ku shkruhej “Boll plehra ka Shqipëria!”, duke shprehur kështu qëndrimin e tyre kundër ligjit të importit të mbetjeve.

Përfaqësues të AKIP kanë deklaruar se autorësia e protestës është e tyre, pasi kanë marrë edhe lejen përkatëse për zhvillimin e saj. Ata kanë kërkuar që përfaqësues të partive politike të mos marrin pjesë në protestën e tyre.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambjentalistë deklaruan para Kryeministrisë  qëndrimin e tyre të prerë kundër ligjit për importin e mbetjeve, të cilin ata e cilësuan si tradhti ndaj shqiptareve.

“Shqipëria është e shqiptarëve”, theksuan ata, duke i bëri thirrje presidentit të Republikës që mos ta miratojë këtë ligj.