Rajon & Botë

Protesta në Brazil, manifestuesit kërkojnë kthimin e regjimit ushtarak

Protesta masive janë zhvilluar në Brazil, me manifestuesit që kanë hyrë me forcë në dhomën e ulët të Kongresit në kryeqytetin Brazilia.

Të paktën 40 protestues janë përleshur me agjentët e sigurisë dhe kanë arritur të zaptojnë podiumin, ku kanë kërkuar rikthimin e regjimit ushtarak, që qeverisi Brazilin nga viti 1964 në 1985.

Demonstruesit kanë kaluar agjentët dhe kanë thyer një derë prej xhami për të hyrë në dhomën e Parlamentit, ku kanë bërtitur “duam gjeneralët, duam gjeneralët” dhe kanë kënduar himnin kombëtar.

Policisë i janë dashur tre orë për të rrethuar protestuesit, të cilët më pas janë arrestuar të gjithë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Më vonë gjatë ditës, zëdhënësi i presidentit Michel Temer, Alexandre Parola e cilësoi protestën një “fyerje” dhe tha se zhvillimi i saj “shkeli të gjitha normat e bashkëjetesës demokratike”.

“Kjo është diçka shqetësuese që duhet të shërbejë si një paralajmërim. Po kthehemi në epokën e ekstremistëve”, komentoi ndërkohë deputeti Betinho Gomes.

Besimi publik në institucionet në Brazil është gërryer kohët e fundit për shkak të skandalit të korrupsionit masiv ku ishte përfshirë edhe ish-presidentja Dilma Rousseff.

Në Rio de Janeiro ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj punonjësve të sektorit publik, që manifestonin kundër shkurtimeve.