Aktuale

Prokuroria Themelore në Pejë ngritë aktakuzë kundër katër personave

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kundër katër personave A.Sh., M.Sh., M.K. dhe S.B. për veprën penale: Kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe Keqpërdorim i informatës zyrtare.

Në një njoftim për media, thuhet se sipas aktakuzës i paandehuri A. Sh., gjatë periudhës 01.05.2013 e deri më 01.08.2014, si person zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke kërkuar dhe marrë shumën prej dyqind (200) euro. Me këto veprime A. Sh., ka kryer vepër penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, tek i njëjti person më 11.09.2014, gjatë bastisjes është gjetur armë zjarri pa leje të organeve kompetente, me çka i njëjti ka kryer vepër penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri M.Sh., akuzohet për shkak se gjatë periudhës 01.05.2013 e deri më 01.08.2014, si person zyrtar ka tejkaluar kompetencat zyrtare, me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke kërkuar dhe marrë shumën prej dyqind (200) euro nga një person tjetër, me çka ka kryer vepër penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas bastisjes së shtëpisë së tij më datë 11.09.2014, i është gjetur armë zjarri pa leje të organeve kompetente, me çka i njëjti ka kryer vepër penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, dy personat tjerë, M.K., dhe S.B., akuzohen nga prokuroria se gjatë periudhës 23.06.2014 e deri më 04.08.2014, në Pejë, si persona zyrtarë kanë keqpërdorur informatën zyrtare, me qëllim që tjetrit t’i krijojnë përparësi që nuk i takon.

“Të njëjtit Prokuroria Themelore në Pejë i kishte autorizuar për zhvillimin e hetimeve paraprake kundër dy personave zyrtarë, A.Sh. dhe M.Sh., për të cilët kishte informata për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mirëpo M.K. dhe S.B., të pandehurit A.Sh. i’a kanë përcjellur informatat konfidenciale rreth masave të fshehta teknike që Prokuroria Themelore në Pejë i ka ndërmarrë kundër të njëjtit, konkretisht lidhur me masat e përgjimit, hetimit financiar dhe simulimit të veprës penale të korrupsionit. Me këto veprime të pandehurit M.K. dhe S.B. kanë kryer vepër penale: Keqpërdorim i informatës zyrtare, nga neni 423 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit./KosocvaPress/