Aktuale

Prokuroria jep detaje për vrasjen e 27-vjeçarit në Prishtinë

Sot rreth orës 11:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë është vrarë një 27-vjeçar.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e 27-vjeçarit.

Sipas prokurorisë, viktima Abid Jashari, fillimisht është plagosur nga një person në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, derisa po qarkullonte me veturën e tij, mirëpo i njëjti nuk i ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, me ç’ rast ka ndërruar jetë.

“Me të ndodhur rasti, njësitet policore kanë informuar prokurorin kujdestar, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas provave të para të siguruara nga vendi i ngjarjes, është identifikuar vetura dhe pronari i saj, nga e cila veturë është gjuajtur në drejtim të viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Bëhet e ditur se deri më tani nuk ka të ndaluar të dyshimtë dhe se hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të duhur të identifikimit të dyshuarve./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli