Aktuale

Prokuroria hap hetime edhe ndaj Zenun Pajazitit, Besim Beqajt dhe zyrtarëve të tjerë për “Pronto 2”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në rastin e përgjimeve, duke përfshirë shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti; ish-ministrin në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, dhe disa zyrtarë të tjerë.

Hetimet janë zgjeruar edhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë: Arbenita Pajaziti, ish- Shefe e Njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi, ish- sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Besim Beqaj, ish- ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, Njazi Kryeziu ish – kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit,  Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Shurdhaj. ish – zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Sedat Gashin, ish–këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas Prokurorisë, të gjithë të pandehurit dyshohen për kryerjen e dy veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i KPRK-së dhe shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.