Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimit në rastin e aferës së përgjimeve, i cili fillimisht është iniciuar kundër të pandehurit Adem Grabovci, deputet dhe ish-kryetar i grupit parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale njofton se hetimet janë zgjeruar edhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë, përfshirë edhe kryetarin e grupit parlamentarë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti.
Nga Prokuroria janë dhënë inicialet e shtatë personave me të cilët janë zgjeruar hetimet për rastin e aferës “Pronto 2”: A.P. ish- Shefe e Njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, I.G. ish- sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, B.B. ish- ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, N.K. ish – Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit Z.P. deputet në Parlamentin e Republikën e Kosovës, F.Sh. ish – zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe S.G ish – Këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Të gjithë të pandehurit dyshohen për kryerjen e dy veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK dhe Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. /KosovaPress/