Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve J.G. L.G. dhe T.TH., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale “grabitje” nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, të pandehurit J.G. L.G. dhe T.TH, me datë 24.11.2016 rreth orës 20:27 në Pejë, rr. “UÇK-së”, në marketin “E-Market”, duke vepruar në grup, pasi paraprakisht ishin marrë vesh i kishin ndarë detyrat për kryerjen e grabitjes.
Me të arritur në vendin e lartcekur, të pandehurit L.G. dhe J.G. dalin nga vetura të cilën e drejtonte i pandehuri T.TH. vënë maskat në kokë dhe derisa e dëmtuara V.K. ishte vetëm në lokal, të pandehurit L.G. dhe J.G. futen brenda, ku i pandehuri L.G. nën kërcënimin e armës i drejtohet të dëmtuarës e pastaj së bashku me të pandehurin J.G. marrin paratë, largohen nga aty dhe më pas parat i ndajnë në mënyrë të barabartë, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka ngritur aktakuzën pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, për çka të pandehurit e lartcekur, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale “grabitje” nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.