Aktuale

Prokurori pritet të kërkojë paraburgim për policin që përdhunoi 16- vjeçaren

Prokuroria pritet të kërkojë paraburgim për policin V.V., i dyshuar për përdhunim dhe shantazh ndaj një nxënëse 16 vjeçare nga Drenasi. Gjatë bastisjes në shtëpinë e policit, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë sekuestruar disa gjëra që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari e ka konfirmuar kërkesën për paraburgim ndaj policit V.V, i cili u arrestua nën dyshimin se kryer dhunim seksual, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal).

Bajraktari ka thënë se rasti do të kalojë tek Departamenti për të Mitur i Prokurorisë për shkak se vepra penale ka nisur në kohën kur vajza ishte e mitur.

Dje gazeta Insajderi raportoi se një 16- vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor, i cili edhe e ka dhunuar seksualisht.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës ka marrë fund pasi të martën pasi Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) e ka arrestuar policin që dyshohet se bëri këto vepra, shkruan FaktePlus.

“Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore hetuesit e IPK-së kanë realizuar dje (05.02.2019) edhe një urdhëresë për bastisje në disa lokacione duke përfshirë shtëpinë e të dyshuarit, zyrën e tij në Stacionin Policor në Drenas dhe një ordinancë private (mjekësore). Gjatë bastisjes janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal).

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast./FaktePlus