Aktuale

Prokurori i pakënaqur me trajtimin e gazetarëve

Prokurori Besim Kelmendi i cili është i caktuar të merret me rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ka thënë se, duke i parë statistikat, është i pakënaqur me trajtimin që u bëhet gazetarëve.

“Duke i parë statistikat për sulmet ndaj gazetarëve, nuk jam i kënaqur aspak për trajtimin ndaj tyre”, ka thënë prokurori Kelmendi gjatë tryezës së diskutimit për lirinë e shprehjes dhe dhunën ndaj gazetarëve të organizuar nga Demokracia Plus në bashkëpunim me Insajderin.

Ai ka thënë se detyra që i është caktuar atij është shumë e rëndë, duke thënë se ndihet keq për çdo rast dhune që u ndodh gazetarëve.

“Mua më është dhënë një detyrë shumë e rëndë nga Prokurori i Shtetit dhe ndjehem shumë keq për çdo rast që i ndodh gazetarëve, sepse unë e respektoj shumë gazetarinë hulumtues, sepse shkruan për çdo të keqe që ndodh në një vend”, ka shtuar prokurori Kelmendi.

Prokurori Kelmendi ka bërë të ditur se janë takuar me secilin gazetar që ka pasur probleme të natyrës së tillë.

“Ne jemi takuar me çdo gazetar që ka pasur probleme. Prej momentit që jam caktuar kam kërkuar që të merren të gjithë prokurorët personalisht me çdo gazetar personalisht. Kam kërkuar që prokurori i rastit dhe koordinatori të shkojnë edhe në spital që të merren personalisht me ta”, ka thënë ndër tjera prokurori Kelmendi./Insajderi.com