Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjendet në Kosovë dhe takimet e tij me zyrtarë të drejtësisë veçse kanë filluar. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Z. Smith tanimë është në Kosovë dhe këtu është për të zhvilluar takime”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për Gazetën Express.
Udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka filluar të mbajë takimet sot në Prishtinë.
Express ka pyetur Zyrën e Smithit, nëse ky i fundit do të marrë me vete edhe lëndë nga Gjykatat e Kosovës, ashtu siç pati vepruar muaj më parë, ish-udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Këai Hong Ip.
Sic ka raportuar T7, Ip ka qëndruar muaj më parë në Prishtinë për të zhvilluar disa takime dhe për të mbledhur materiale që i duhet për hetimet në kuadër të Dhomave të Specializuara.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se, ashtu siç është lënë të kuptohet në njoftimin për ardhjen e tij, Smith në Prishtinë është nisur për të takuar zyrtarë të Drejtësisë.
Smith ka planifikuar takime me përfaqësuesit e shteteve të Bashkimit Evropian, me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe gjithashtu edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të sektorit të Drejtësisë.
Prokurori Smith ishte zgjedhur në këtë pozitë pas një procesi të organizuar nga Bashkimi Evropian konkretisht nga kreu i EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Ai e ka marrë detyrën me 11 shtator të këtij viti, duke zëvendësuar prokurorin David Schëendimann.
Siç shkruan komunikata, prokurori amerikan ka një përvojë të lartë në hetimin e politikanëve dhe në hetimin ndërkombëtar të krimeve.
Zyra e Prokurorit Special është duke hetuar dyshimet për trafikim me organe të cilat kanë dalë nga Raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës. /Express/