Prokurorëve të shtetit sot iu është kërkuar angazhim maksimal për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe luftën kundër terrorizmit. Atyre po ashtu iu është kërkuar rezultate konkrete në zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës.
Kërkesat ndaj prokurorëve erdhën në konferencën vjetore të prokurorëve, ku u tha se është shqetësuese që sistemi prokurorial ka numës të vogël të prokurorëve dhe mungesë financiare për t’i përballuar proceset gjyqësore.
Zëvendësshefja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Collen Hylland tha se sistemi prokurorial është përballur me shumë sfida, e njëra prej tyre ka qenë ballafaqimi me deputetët që kanë përdorur gaz lotsjellës në Kuvend, që sipas saj, është një sfidë e madhe në një shtet demokratik.
“Ishte nj vit plot me sfida dhe ndryshime në sistem, decentralizimi i pushtetit është gjithmonë i vështirë. Besojmë që Këshilli Prokurorial e kanë bërë një punë të duhur sepse janë ballafaquar më shumë sfida, kur deputetët kishin filluar të përdorin gaz lotsjellës dhe kjo është një sfidë për çdo shtet demokratik. Ju keni vepruar në mënyrë të drejtë, ju i keni treguar se dhuna nuk tolerohet në foltore të Kuvendit… Populli i Kosovës nuk ka shumë besim në institucionet e drejtësisë dhe ata mendojnë se korrupsioni është i përfshirë gjithkund, ju duhet ta ktheni besimin tek qytetarët”, tha Hylland.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se në Kosovë po bëhen reforma për forcimin e drejtësisë në vend, mirëpo sfidë mbetet ballafaqimi me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ballafaqimi me krimin është sfidë, por betejat kundër korrupsionit të krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative, duhet të jenë permanente e vendosur dhe me tolerenacë 0….Unë takoj familjarë të masakrave Mejës që ende nuk kanë marrë përgjigjej nga sistemi i drejtësisë për njerëzit që kanë kryer krime. Takoj qytetarë, familjarë të masakrës së Izbicë, që ende nuk kanë marrë përgjigje të duhur, takoj qytetarë, familjarë shoqata të familjare të masakrës së Studimës që ende nuk kanë marrë përgjigje. Takoj dëshmitarë të gjallë të masakrës së burgut të Dubravës dhe ende nuk kanë marrë përgjigje nga sistemi i drejtësisë. As nga kombëtarë e as nga prokurorët vendor. Duke e shfrytëzuar këtë drejtim kërkoj që të punohet edhe me tepër, por në të njëjtën kohë takoj familjarët e ngjarjeve të dhimbshme të masakrës që ka ndodhur në Staragrackë në Lipjan, ku janë vrarë 40 qytetar, gji thashtu fëmijëve që janë vrarë në Gorazhdec, ku janë vrarë pas luftës, dhe ata nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç drejtësisë të cilën duhet ta ofroni ju prokurorë”, tha Thaçi.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezi u ka thënë të gjithë prokurorëve të shtetit se pret nga ta angazhim maksimal në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe luftën kundër terrorizmit.
“Nga të gjithë ju prokuror të shtetit pres angazhim maksimal në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Jemi të vetëdijshëm që sfidat që ka Kosova në luftimin e këtyre dukurive, janë sfida që do të na shoqërojnë gjatë gjithë procesit ne strukturat e BE. Roli i prokurorisë në përmbushjen e kritereve për liberalizmin e vizave, në drejtim të rritjes se efikasitetit të kësaj luftë është vendimtar. Jam i vetëdijshëm që barra kryesore i bie Prokurorisë së Kosovës…Gjithsej nga kjo prokurori gjatë vitit që lam pas, janë zgjedhur 161 raste të formave të ndryshme. Në mbikëqyrjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, është funksionalizuar edhe databaza për rastet e shënjestuara dhe nga 33 raste të shënjestruara, janë ngrit aktakuza për 25 raste. Që ne i konsiderojmë të nivelit të lartë, ndërsa 8 raste të tjera presim të përfundojnë brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm. Roli i prokur orisë është shumë i rëndësishëm, prandaj iu bëj thirrje Ministres së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtar që të marrin iniciativën për formimin një departamentit special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Lumezi.
Ai shtoi se gjatë vitit të kaluar është funksionalizuar departamenti për krimet e luftës, ku prokurorët vendor dhe ndërkombëtar kanë ndërmarrë 62 vendime për fillimin e hetimeve e këtyre veprimeve dhe 57 raste kanë kërkuar urdhër-arrest ndërkombëtar.
“Trajtimi i rasteve të krimeve të luftës është në kompetencë të prokurorëve vendor, jam i vetëdijshëm që do të jetë shumë vështirë por nga ju në këtë drejtim pres rezultate konkrete. Qasje serioze duhet të keni edhe në trajtimin dhe zbardhjen e e rasteve të cilat janë të identifikuara në letrat e presidentit të shtetit në mënyrë që të identifikohen ngjarjet dhe zbulimi i identitetit të kryerësve të këtyre veprave penale dhe të njëjtit t’i vëmë para drejtësisë”, tha ai.
Lumezi tha se për të pasur rezultatet më të mira në këtë fushë, nevojitet që të rritet buxheti i shtetit, në mënyrë që të kemi zëdhënës në të gjitha prokuroritë themelore dhe speciale të Kosovës.
Në anën tjetër, kryeprokurori i Eulex-it, Claudio Pala tha se është shqetësuese që sistemi prokuroria ka numës të vogël të prokurorëve dhe mungesë financiare për t’i përballuar proceset gjyqësore.
Kurse, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha u zotua se e ka fuqinë e ligjit dhe kështu synon ta realizojë atë më nder dhe përgjegjësi.
Ajo tha se nuk duhet të i lejojmë asnjë faktor politikë apo tjetër të ndikoj në sistem prokurorial.
Kurse, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se për një vit kanë arritur që t’i kenë 25 prokurorë të rinj në nivele të ndryshme të prokurorisë. Ai deklaroi se synimet e tyre janë transparenca dhe llogaridhënia. /KP