Por, vetëm 100 milionë janë para të planifikuara për realizimin e tyre këtë vit. Edhe ato do të merren hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e institucione tjera financiare.
Në ligjin për buxhetin që ka siguruar Gazeta Fjala, vetëm për “Rehabilitimin e rrugës hekurudhore”, parashihet të shpenzohen 195 milionë euro.
Kredinë do ta marr ndërmarrja publike “Infrakos”, e cila do të jetë zbatuese e këtij projekti që do të lidh rrjetin hekurudhor të Kosovës, me Serbinë në veri, e Maqedoninë në jug.
“….rehabilitimi i përgjithshëm i Rrugës Hekurudhore 10 përbëhet nga tri faza kryesore: Faza 1 – Fushë Kosovë – Hani i Elezit (Kufiri me Maqedoninë); Faza 2 – Fushë Kosovë – Mitrovicë; Faza 3- Mitrovicë – Leshak kufiri verior me Serbinë”, thuhet në projekt buxhetin për vitin 2017.
Edhe projekti i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” për ndërtimin e modernizimin e linjës hekurudhore Prishtinë- Fushë Kosovë, implementues i së cilit është Ministria e Infrastrukturës, pritet t’i kushtoj buxhetit të Qeverisë 40.2 milionë euro.
Gjithashtu 25 milionë euro, do t’i kushtoj buxhetit shtetëror, rehabilitimi i Ibër Lepencit.
Ende nuk është nënshkruar marrëveshja për marrjen e kredisë, mirëpo thuhet se Banka Botërore, pritet të jetë partneri kryesor që do të ndihmoj në zhvillimin e këtij projekti.
Edhe për të përmirësuar hyrjet e daljet e qytetit të Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, e Kllokotit, do të merren hua 29 milionë euro, nga BERZH-i.
E ndërtimi i rrugës nga Kijeva deri në Zahaq, Qeverisë do t’i kushtoj 60.8 milionë euro, me të cilën shumë financues do të jenë gjithashtu BERZH, e Banka Evropiane e Investimeve.
158 milionë për hekurudhën me Serbinë
Rehabilitimi i linjave hekurudhore, shtetit nuk duket t’i kushtoj pak.
Vetëm për linjat hekurudhore lindore e jugore, kufiri me Serbinë-Podujevë, Fushë-Kosovë- Klinë- Prizren, do të shpenzohen 158 milionë euro, për të cilat pritet të merret kredi nga BERZH-i, e Banka Evropiane Investuese.
Përkujdesja, për sistemet e ujitjes, do t’i kushtoj Kompanisë “Radoniqi”, 31.5 milionë euro. Ende nuk dihet se nga kush do të sigurohen financat, për zgjerimin e sistemit të ujitjes së kësaj kompanie.
Me kredi gjithashtu do të ndërtohet edhe autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Për këtë projekt janë planifikuar të shpenzohen vitin e ardhshëm 272 milionë euro.
Kjo autostradë pritet të lehtësoj transportimin e mallrave e udhëtarëve brenda vendeve të Evropës, por thuhet se me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të siguronte edhe lidhje më të mira me këto vende.
Blerja e 51 autobusëve, e cila nuk gjente marrëveshje mes Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Financave, duket të jetë pjesë e buxhetit të vitit 2017.
Projekti për Reformimin e Transportit Publik, implementues i së cilit është ndërmarrja “Trafiku Urban”, Qeverisë do ti kushtoj 10 milionë euro, me financa të cilat do të sigurohen nga BERZH-i.
Dy kredi për KOSTT
Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), do ta fus Qeverinë në borxh 25 milionë euro, për përmirësimin e rrjetit të transmisionit.
Për këtë KOSTT, pritet të marrë dy kredi, të cilat janë miratuar nga zyra e rregullatorit të Energjisë.
Zgjerimi i aktiviteteve të 20 bizneseve, me të cilat pritet t’iu sigurohen vende të punës qytetarëve të Kosovës, thuhet të jetë një projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Mirëpo, në buxhet nuk është specifikuar shuma e planifikuar për shpenzim.
Edhe projektet komunale, për ndërtimin e kolektorëve për ujëra të zeza, nuk duket se do të kushtojnë pak, me buxhetin e ri të miratuar.
Ndërtimi i një kolektori për ujëra të zeza në Komunën e Podujevës, si dhe përmirësimi i sistemit të kanalizimit në Komunën e Gjilanit, thuhet se do të kushtoj 12.8 milionë euro, financimi i të cilit projekt thuhet se është bërë në mes Qeverisë së Kosovës e shtetit të Austrisë.
Ministria e Ambientit e Planifikimit Hapësinor, do të jetë implementuese e projektit për mbrojtjen e Liqenit të Batllavës, nga ujërat e zeza, në të cilin projekt do të shpenzohen 62 milionë euro, me një marrëveshje financimi mes Qeverisë së Kosovës, e asaj të Hungarisë.
Edhe trajtimi i ujërave të zeza në Prishtinë, MAPH, do ti kushtoj 80 milionë euro. Për të cilin projekt është arritur marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Francës.
Shtrirja e Infrastrukturës Telekomunikuese Brezgjerë, është projekti i fundit në listën e shpenzimeve buxhetore. Implementues i së cilit është Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Kostoja totale e projektit pritet të jetë 37 milionë euro. Financues i së cilës thuhet të jetë Banka Botërore. /GazetaFjala