Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka shumë mundësi se do të fillojë procesin e largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo është mësuar pas takimit që May pati me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, mund ta fillojë procesin e largimit nga Bashkimi Evropian në fillim të vitit të ardhshëm, më saktësisht në muajin shkurt, transmeton Express.
Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka thënë se Kryeministrja May ka premtuar se Britania e Madhe do të jetë e gatshme t’i fillojë bisedimet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Tom Bateman nga BBC thotë se kjo është shenja më e qartë se kur do të fillojë ky proces 2-vjeçar i largimit nga BE.
Nga zyra e Kryeministres May thuhet se nuk do të nisin bisedimet këtë vit, por nuk konfirmojnë deklaratën e Tusk.
Negociatat zyrtare të largimit nuk mund të fillojnë nëse Britania e Madhe s’i përmbushë kërkesat e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili është një mekanizëm zyrtar për largimin nga BE.
Koha për fillimin e këtij procesi deri më tani ka qenë e pacaktuar, pa ndonjë shenjë të qartë nga Qeveria e Theresa May.