Konkursin për Drejtor të Burgjeve po vazhdojnë ta përcjellin shumë problematika.
Kandidatët të cilët kanë aplikuar për këtë pozitë janë ftuar në intervistë të mërkurën më 7 Mars nga ora 11:00, akoma pa përfunduar afati 8 ditor për ankesa, raporton Tribuna Channel.
Sipas burimeve të televizionit tre persona kanë parashtruar ankesë për këtë konkurs.
Për këtë çështje Televizioni ka dërguar disa pyetje tek Ministria e Administratës Publike, Ministria e Drejtësisë dhe Eulexi, ku një përgjigje të shkurtë ka pranuar vetëm nga MAP.
Në këtë përgjigje ministria nuk ka treguar pse janë ftuar kandidatët në intervistë pa përfunduar afati i ankesave, por vetëm ka thënë se intervistimi i kandidatëve është në proces dhe po asistohet edhe nga ambasada britanike.
“Intervista me kandidatët për drejtor të burgjeve është duke u zhvilluar dhe në proces është duke asistuar edhe partneri implementues nga Ambasada britanike, sipas marrëveshjes mes Qeverisë dhe Ambasadës britanike”
Tribuna Channel ka raportuar edhe më parë se këtë konkurs po e përcjellin shumë shkelje.
Komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të burgjeve, fillimisht duke futur në listë persona me precedent penal, por njëkohësisht edhe duke pasur në komision njerëz ndaj të cilëve ka akuzë.
Në listën e ngushtë për këtë pozitë janë futur Nehat Thaçi, Rasim Selmanaj, Burim Buleshkaj, Enver Rrustemi dhe Driton Bajrami i suspenduar si punëtor i Burgut të Dubravës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Për këto shkelje akoma nuk ka ndonjë reagim nga komisioni britanik, i cili është pjesë e këtij konkursi.
Ky komision ka për detyrim të ndjek procedurat e bazuara ligjore dhe jo të lejojë shkelje, e aq më pak të bëhet pjesë e tyre.
Kjo duke pasur për bazë se anëtari i komisionit Heset Loku paraqet konflikt interesi.
Përgjegjësitë për të gjitha veprimet e shkeljeve ligjore i bartë kryetari i komisionit, i cili e ka obligim ligjor që nëse sheh se ka shkelje të rekomandoj për anulim, e jo të shtyjë procesin përpara.