Partnerët e koalicionit janë duke zhvilluar diskutime për ndryshime rrënjësore në Qeveri.
Këto diskutime janë duke u zhvilluar në nivel partiak ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, dhe kreut të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të ndryshme i kanë thënë gazetës se ridizajnimi konsiston në zvogëlimin e kabinetit qeverisës, përmes fuzionimit të disa ministrive.
Nga zyrtarë të afërt me procesin gazeta merr vesh se është propozuar që tri Ministri të integrohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Si propozim ka dalë edhe krijimi i një “super” ministrie të Financave, e udhëhequr nga ministri aktual Avdullah Hoti.
Gjithë diskutimet pritet të finalizohen deri në fund të vitit dhe për “këtë ka presion nga jashtë”. Por, problem ka dalë të jetë largimi i disa zyrtarëve, ku më së shumti preket PDK-ja.