Aktuale

Prishtina me tetë kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit

Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit.

Shefi i sektorit për mbrojtje dhe shpëtim, Ibish Kelmendi, bëri të ditur se Komuna e Prishtinës ka kontraktuar tetë kompani të cilat do të merren me mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit. Gjashtë kompani do të jenë për zonën urbane të Prishtinës, ndërsa dy kompani do të jenë për zonat rurale të Prishtinës.

 

“Komuna e Prishtinës nga viti i kaluar ka lidh një kontratë kornizë me kompani  të cilat i ka kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në pjesën urbane dhe rurale të Komunës së Prishtinës. Me qenë më efikas, për të pasur më shumë sukses në mirëmbajtjen dimërore të rrugëve ne kemi kontraktuar tetë kompani  për mirëmbajtjen e rrugëve, gjashtë prej tyre do të jenë në zonën urbane dhe dy kompani do të jenë në zonat rurale. Varësisht prej situatës edhe këto kompani që janë të kontraktuara për të mirëmbajtur zonën urbane që paraqitet nevoja mund ti angazhojmë edhe në  zonat rurale në mënyrë që edhe qytetarët që jetojnë më zonat rurale të kenë rrugë të kalueshme”, ka thënë Kelmendi.

Gjithashtu, shefi i sektorit për mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Prishtinës, bëri të ditur se sigurimi i kripës dhe rërës që do të përdoret për pastrim të rrugës është përgjegjësi e kompanive të kontraktuara dhe se deri tash një pjesë e kripës dhe rërës është siguruar.

 

“Në kontratë secila kompani e ka të precizuar se  me çka do të veprojë gjatë sezonit dimërorë, përfshi automjetet, kripës dhe rërës. Një pjesë të kripës veç është e siguruar ngase edhe organet mbikëqyrëse kanë filluar të bëjnë kontrollimin e deponive  ku e kanë të deponuar kripën dhe rërën. Deri në fund të këtij muaji janë të obliguar secili ta sigurojnë kripën, ngase është më e vështirë pastaj pas Vitit të Ri, kur fillon acari, bora e madhe ngase kripën duhet ta marrim jashtë Republikës së Kosovës, nga Republika e Shqipërisë dhe mund të ketë probleme, prandaj ata duhet ta sigurojnë kripën para Vitit të Ri në mënyrë që të mos kemi probleme me furnizim”, ka thënë Kelmendi.

Po ashtu, Kelmendi bëri të ditur se këto kompani, të cilat janë kontraktuar nga komuna, kanë të përcaktuara zonat ku do të veprojnë si dhe automjeteve do të ju vendosen GPS në mënyrë që të mbikëqyret puna e bërë nga kompanitë.

 

“Kompanitë që janë të kontraktuara  për zonën urbane i kanë edhe zonat e caktuara ku do të veprojnë, në këto zona janë caktuar me kontratë dhe të punuara me planin për menaxhim të kontratës gjatë punimeve të sezonit të dimrit. …Si komunë kemi menduar që automjetet të cilat do i përdorin për të pastruar rrugët dhe pjesët tjera, në qytet dhe në pjesët rurale të ju vendoset në automjete GPS në mënyrë që ta përcjellim gjendjen edhe nga afër se si dhe ku janë për momentin duke vepruar” ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, qytetarët janë të obliguar në bazë të ligjit që ta mënjanojnë vetë borën para lokaleve dhe objekteve të banimit të tyre dhe ta vendosin skajeve të rrugës, prej nga kompanitë e pastrimit do ta marrin dhe do ta largojnë./KosovaPress/