Aktuale

Prishja e banesave në Himarë, Dule thërret “përforcime” nga parlamenti grek

Kreu i PBDNJ dhe njëherësh edhe deputeti i Kuvend të Shqipërisë Vangjel Dule, do të presë sot në Tiranë dy eurodeputetë grekë, në një takim të thirrur prej tij kundër asaj që ai e quan grabitje të pronave të minoritarëve në Himarë.

Në njoftimin e dhënë nga PBDNJ thuhet se eurodeputetët, njëherësh edhe deputetë të parlamentit grek, do të vizitojnë sot Tiranën, në takimin që synon të bashkojë forcat kundër prishjeve të banesave që janë bërë në Himarë.

Dhe për Dulen dhe PBDNJ, këto banesa janë prishur në mënyrë selektive, duke dëmtuar liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Himarë. Për këtë çështje, deputeti Dule ka replikuar dy muaj më parë edhe me kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi se po hakmerret ndaj atij minoriteti.

“Për këtë arsye, sot më 2 dhjetor 2016, ora 18:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) në bashkëpunim me organizatën OMONIA, Aleancën për Mbrojtjen e Pronës së Bregdetit (AMPB), Bashkimin Himarjot të Amerikës, si dhe Bashkimin Himarjot të Athinës, organizon takim të hapur me temë ” Jo grabitjes së pronave, pro zhvillimit dhe integrimit në BE! “, me qellim informimin e publikut. Në këtë takim do jenë të ftuar Eurodeputet, Deputet të Parlamenti grek etj. Ndërsa sot më datë 3 dhjetor 2016, ora 10:00 te hotel PLAZA Tirana, salla ”Queen Geraldine A” në katin e 3-të,  Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbledh Këshillin e Përgjithshëm Drejtues Kombëtar.” thuhet ndër të tjera në komunikimin për media të PBDNJ