Në vizitën zyrtare që është duke zhvilluar në Tiranë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar Princin Leka 2, ku është shprehur se “mbretëria shqiptare na bënë nderë në të gjitha dimensionet”.
Princi Leka 2 pohoi se ndjehet shumë i nderuar që me vizitën e kryeministrit Haradinaj, i cili sipas tij është duke i shërbyer Kosovës me dinjitet.
“Ndjehem shumë mirë të pres kryeministrin e Kosovës z. Haradinaj pikërisht në vitin e Skënderbeut, në rezidencën e familjes mbretërore. Ne jemi shumë krenar që kemi një kryeministër që është duke i shërbyer Kosovës me dinjitet. Një atdhetar i vërtetë që e do Kosovën. Pikërisht është duke punuar për çështjen kombëtare. E vlerësoj shumë vizitën tuaj kryeministër. Uroj ta keni sukses në detyrën tuaj, në shërbim të kombit shqiptar. Jam dhe do të mbetem gjithmonë në shërbim të Kosovës dhe në mbështetjen tuaj”, tha ai.
Kurse kryeministri Haradinaj theksoi se vazhdon traditën për të vizituar familjen mbertërore, e cila siç u shpreh Haradinaj “mbretëria shqiptare na bënë nderë në të gjitha dimensionet”.
“Tradita jonë me vizitu familjen mbretërore, me vizitu mbretin Leka më herët, tani prapë mbretin Leka. Është një traditë, e cila buron prej ndjenjën që kemi për rrugën tonë si komb, në shtetndërtim dhe në institucione. Mbretëria shqiptare na bënë nderë në të gjitha dimensionet, kudo që jemi shqiptar marrim vetëm të mira. I jam mirënjohës mbretit Leka zonjës Elia, për një angazhim të vazhdueshëm për çështjen shqiptare, qoftë për përfaqësimin e shqiptarëve, vlerave të shqiptarëve, por she për tema që lidhen me pozicionin e Kosovës, si njohje si anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ishte një kënaqësi e veçantë. Kemi qenë dhe do të mbetemi çdoherë bashkë”, tha ai.
Ndërsa i pyetur rreth bashkimit Kosovë dhe Shqipërisë, e cila ka qene dhe dëshirë e familjes mbretërore Haradinaj tha se “shqiptarët janë shqiptar kudo qa janë në atdhe. Atdheu ynë në Ballkan është në të gjitha trojet tona dhe kudo që jemi në diasporë. Mendoj që kjo rrugë e të qenurit bashkë, ashtu si sot, na afron nder vete më shumë. Jam i bindur se do jemi çdoherë e më bashkë”, tha ai, raporton KosovaPress.