Aktuale

Preteni: AKK e ka parandaluar korrupsionin në Kosovë

Ish-shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka vlerësuar se kjo agjenci ka pasur sukses në parandalimin e korrupsionit në Kosovë.

Por, sa i përket luftimit të kësaj dukurie, ai ka thënë se mbetet shumë për të dëshiruar.

Preteni ka thënë në një intervistë për “Epoka e re” se AKK është vetëm hallka e parë në zinxhirin e mekanizmave antikorrupsion.

Ai ka thënë se për dy mandate sa e ka drejtuar AKK-në, kjo agjenci ka bërë punë të pavarur dhe asnjëherë, sipas Pretenit, nuk është akuzuar për afërsi me pushtetin.

“Agjencia Kundër Korrupsionit është një institucion model në Kosovë, duke qenë e pavarur dhe e papolitizuar. Asnjë zyrtar nuk është pjesë e familjeve të liderëve partiakë dhe nuk ka familjarizim”, është shprehur ai.

Preteni ka bërë të ditur se pas largimit nga kreu i AKK-së, aktualisht është i papunë.