Aktuale

Presion për ta votuar projektligjin për investime

Deputetët e Kuvendit të Kosovës disa herë kanë votuar kundër projektligjit për investime strategjike. Meqë, projektligji nuk kalonte, kryeparlamentari, Kadri Veseli dha dy pauza me arsyetimin se ka probleme teknike.

Megjithatë, dy herë është votuar edhe me dorë, ku projektligji morri vetëm 51 vota për, 5 apstenime dhe të tjerat kundër.

Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi tha se ligji është me rëndësi të veçantë dhe duhet të kalojë në Kuvend.

“Votimi nuk është në rregull dhe ftojë shefin e grupit të PDK-së dhe LDK-së që të dakordohen dhe në momentin që janë votat të hedhet në votim”.

Kryetari i Kuvendit i Kosovës, Kadri Veseli pohoi se vetëm edhe njëherë do të provojnë të votojnë dhe se nëse nuk arrijnë të votojnë as kësaj radhe, nuk do të provojnë sërish, pasi që siç tha ai kjo ka të bëjë dhe me kredibilitetin e këtij Kuvendi.

“Provuam të votojmë dhe në mënyrë elektronike dhe me dorë. Unë nuk mund me zor me e shti askënd me votu. Do të provojmë vetëm dhe njëherë të votojmë dhe jo më”, tha ai./KosovaPress/