Aktuale

Presidentja e Kroacisë: Jugosllavia ishte utopi, nuk e shkatërroi nacionalizmi

Kolinda Grabar –Kitarovic në një intervistë për një gazetë austriake ka dhënë opinionet e saj për shkatërrimin e Jugosllavisë duke thënë se nuk ishte nacionalizmi që i bëri varrin këtij vendi. Ajo ka thënë se Jugosllavia ishte një utopi ku njerëzit bindeshin se jetohet mirë. Sipas saj, kroatët dhe sllovenët janë popuj perëndimorë që kanë dashur ti shpenzojnë lirshëm paratë që i kanë krijuar vetë.

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar –Kitarovic ka thënë se në Kroaci sot jetohet shumë më mirë se dikur në ish-Jugosllavi. Ajo ka thënë se i porosit të gjithë jugo-nostalgjikët që të kthehen vetëm për një ditë në ato kohëra në mënyrë që ta shohin se cila liri atyre do t’u ishin hequr.

Në një intervistë për gazetën austriake Kleine Zeitung, Grabar –Kitarovic, ka thënë se kroatët e kanë ëndërruar shtetin mijëra vjet – së pari nën Habsburgët, pastaj nën Mbretërinë Jugosllave dhe më vonë pas Luftës së Dytë Botërore, kur është imponuar pushteti komunist.

Ajo ka thënë se kroatët me Presidentin e tyre Franjo Tugjman më 1992, më në fund e kanë realizuar ëndërrën dhe tani janë të lirë.

“Tani Kroacisë punët i shkojnë shumë më mirë. Unë takoj shpesh njerëz që janë nostalgjikë për Jugosllavinë. Gjithmonë u propozojë që vetëm për një dita ta kthejmë Jugosllavinë, që ta shohin se cilat liri do t’i ishin kufizuar, e të cilat në Kroacinë e sotme i gëzojnë” ka thënë ajo.

Nacionalizimi nuk e varrosi Jugosllavinë

E pyetur se pse qytetarët e Kroacisë janë nostalgjikë për Jugosllavinë nëse jeta ka qenë kaq e keqe atëbotë, Kitarovic ka thënë se “ njerëzit janë bindur se jeta në Jugosllavi ka qenë magjepsëse”

“Jugosllavia ishte një utopi. Josip Broz Tito, komunistët dhe mediat e atëhershme i kanë bindur njerëzit se jeta te ne është e bukur. Secili ka pasur një pagë pavarësisht se a ka punuar apo jo” ka theksuar ajo.

“Paraja në Jugosllavi shpenzohej në projekte megalomane, me të cilat synohej të bindej bota se Jugosllavia është një shtet industrial: ka theksuar ajo.

Kitarovic ka thënë se nacionalizmi nuk i bëri varrin Jugosllavisë.

“ Nacionalizmi ishte një katalizator. Ne kroatët dhe sllovenët donim një jetë më të mirë sepse jemi pjesë e botës perëndimore dhe donim që lirshëm të disponomim me parë që i krijonim” ka thënë ajo.