Aktuale

Presidenti Thaçi uron kryeministrin e ri të Britanisë

Presidenti Hashim Thaçi e ka uruar Boris Johnson pasi është zgjedhur sot lider i ri i Partisë Konservatore dhe kryeministër i Britanisë së Madhe.

Thaçi tha se e ka mik Johnsonin dhe pret që tani të ketë edhe më shumë thellim të bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Lodrës zyrtare.

“Në emër të popullit të Kosovës uroj mikun tim Johnson, popullin britanik dhe mirëpres vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Britania e Madhe është partner strategjik, derisa miqësia jonë është e përhershme”, ka shkruar Thaçi në urimin e tij.

“Lufta” e nisur midis Boris Johnson dhe Jeremy Hunt sot ka përfunduar. Boris Johnson është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Konservatore dhe kryeministër i ri i Britanisë së Madhe.

Pas fitores Johnson do të betohet para Mbretëreshës Elizabeta II, nesër gjatë ditës.

Ai e fitoi garën mjaft bindshëm, pasi arriti të merrte 92.153 vota, kurse Hunt 46.765 vota të anëtareve të partisë në pushtet.

Kujtojmë se tashmë kryeministri britanik, Boris Johnson ka deklaruar edhe më parë se Mbretëria e Bashkuar duhet të largohet nga BE-ja me ose pa marrëveshje deri më 31 tetor.