Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka dëshmuar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me rastin e quajtur “Syri i Popullit”. Thaçi në cilësinë e dëshmitarit me deklaratat e dhëna e ka implikuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën si udhëheqës, siç i ka quajtur ai “kërcënues dhe vrasës të njerëzve të pafajshëm”.
Thaçi është ankuar se ai dhe familja e tij janë lënduar që emri i tij ka qenë në listën për likuidim të grupit “Syri i popullit”
Për shkrimet e Murat Jasharit, i pari i vendit ka thënë se kanë qenë të orkestruara nga Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja.
“Miqtë me kanë thënë që Murat Jashari nuk di të shkruaj, por pastaj jam informuar se mbrapa tyre qëndron anëtari i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, mandej Glauk Konjufca, dhe kryetari Albin Kurti”, ka thënë presidenti i Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në seancën gjyqësore Thaçi ka treguar se njoftimi që është cak i grupit, i cili tani po gjykohet për terrorizëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës, i është dhënë para se të ndodhte atentati ndaj avokatit Azem Vllasi, ku ky i fundit kishte mbetur i plagosur.
“Autoritetet shtetërore të sigurisë më kanë njoftuar ditë ose javë më parë për kanosje ndaj meje, para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi”, tregoi Thaçi.
Kujtojmë se para se presidenti Hashim Thaçi të nisë dëshminë e tij, trupi gjykues ka marrë vendim që mediat të mos lejohen të incizojnë me audio ose video dëshminë në gjykatë.