Aktuale

Presidenti Thaçi dekreton Ligjin për Buxhet, i hapet rrugë Pakos Emergjente

I është hapur rrugë miratimit të Pakos Emergjente, pasi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dekretuar Ligjin për Buxhetin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e ka pranuar dje pasdite.

Kështu bëri të ditur presidenti Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook tha se e ka bërë dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët dhe të zbuten pasojat e pandemisë.

“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, më 30 korrik me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte thënë se pas publikimit të Ligjit në Gazetën Zyrtare, mund të fillojë ekzekutimi i masave nga Pako Emergjente Fiskale. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN